Trishtimi i jetës për dikë
Kur je vetëm,
ndihesh e zemëruar,
Kur je me të tjerët,
ndihesh e hutuar.
Se jeta pa dikë,
kuptim s’mund të ketë,
Se jeta pa dikë,
nuk është jetë.
Ti nuk fle pa mua
Ti nënë gjatë natës s’fle dot pa mua,
s’të vë faj, kur vij qëndroj vetëm pak,
aq pak sa, mbetesh sërish përmalluar,
dhe pse s’ma thua, syrit çel një flakë
Ah kjo pleqëri, në palcë të ka munduar,
por dashurinë për mua s’ta ka fikur dot,
e netëve, kur qepallat e tua flenë rënduar,
sa herë për mua, ke qarë e derdhur lot.
Lermë nënë, ta puth synë e shqetësuar!
Se kur une të iki,ankthi syrin te pushton,
ti flake shqetësimin, si rrobë të vjetëruar,
kur malli të djegi, puthja ime të puthëron.
Në jetë të jetëve
Flladit erdhe më i bukur se herë tjetër,
supeve vallëzonte kostumi dhëndërror,
të prita thjeshtë, sipas zakonit të vjetër,
prej syrit të zi rrodhi një lot vajzëror.
Kur më puthe dorën, ra flokut një kurorë,
të dyve na rrëmbeu natyra duke qeshur,
lëkurës butësisht preke afshin femëror,
rendëm pa frikë, atje ku s’kishim shkelur.
Papritur prej qiellit ranë mijëra meteorë,
O Zot, na pagëzove burrë e grua mes reve!
Atëherë u gjunjëzove me zemër në dorë,
lotuar më the: “Jam i yti në jetë të jetëve”!
Lermë të qetë
Mos mu afro, nëse më ke lënduar,
Zemrës të kam nxjerrë si ogur të keq,
zgavrës së gjirit zien llavë e pashuar,
në s’do që të të djeg, lermë të qetë!
Mos fol, nëse timbri zërit del djallëzuar,
nëse pabesisht, më thyen si degë,
pranoj shuplakën nëse kam gabuar,
aspak përuljen kur kam të drejtë.
Kur pritja mbaron
Të prita shumë e ditët humba,
E netëve shpirtin e humbja krejt,
Kur shpirti mëson të arratiset,
Nuk kthehet më, në rrugë të drejtë.
Tani rebel edhe i dehur,
Nuk mund të pres asgjë nga ti,
Sa dashuri mbeti pa shprehur,
U tret në pritje! Sa dashuri!
Të doja njerinë
Me sytë e dhimbjes, pashë heshtjen,
një heshtje të zezë, si nje pus i zi,
Me sytë e mendimit, lexova buzëqeshjen,
atë lloj buzëqeshje, që veç unë e di.
Me sytë e qiellit, pashë lumturinë,
ndjeva emocionin, forcën dhe fuqinë,
Me sytë e jetës, botën dashurova,
mbi të gjitha, mësova të doja thellë njerinë.
Poezi nga: Valentina Llapri
