Category Archives: Poezi Dashurie
Dhemb dashuria
Dhëmb, të presësh shiun në shkretëtirë
E buzët e thara dhëmbin për një puthje.
Në ato buzë-mbrëmje ku shpirti është i ngrirë
Dhëmb, kur dëshirat me kohën bëhen lutje.
Dhëmb, të heshtësh në pritjen e pafund
Në pritjen e asgjëje mes mallit përvëluar.
Aty ku shpirt-dëshira bëhet tërmet e tund
Ku dashuron ikona nga koha tjetërsuar!
Dëshira në të kundërt
Mund t’i quash përgjërim, lutjet e mia
Mund të thuash që jam çmendur e s’e di,
Po kur zemra bëhet plagë nga dashuria,
E vështirë t’pajtoj një tjetër, dashuri!
Mund të thuash që dhe vitet i merr era
Mund t’i quash një pjesë jete pa rënd’si,
Po një zemër e plagosur rri tek ”dera”,
Edhe qan për ato vitet ”unë dhe ti”!
Tashmë dyert t’i kam mbyllur dhe pse s’doja,
Me dëshiren në të kundërt do t’jetoj,
Do të jetë më e bukur paranoja,
Sesa puthje krejt pa ndjenja në nevojë!
Eklips
Sonte dita u bë natë,
Pa eklips, vetëm nga ti.
U fsheh nën flok’t e tu të gjatë,
N’atë të zezën, mrekulli.
Prisja unë një fjalë nga ty,
Ti e qetë, përdhe vështroje,
Kokën të ngrita, të t’shoh në sy,
Të pash unë, ti s’më shikoje!
Ylli dhe unë
Dikur në qiell kam parë një yll,
Pas shumë kohësh prap e shoh,
Thonë, njësoj janë të gjithë yjet,
Thonë të tjerët unë them, jo!
E njoh mirë atë yll të bukur,
Del gjithmonë mes yjesh shumë,
Herë qëndron edhe i strukur,
Se shihni ju, e shoh veç unë!
Heshtje memece
Ashtu, në heshtje shkeli nata
Në heshtje të thellë mendimet vijn’,
Heshtje memece, me ”këmbë” të gjata,
Heshtje e stërgjatur, pa mbarim!
Ka dhe momente që do heshtje,
Pa arsye, ashtu kot,
Edhe heshtja sjell kurreshtje,
E kurreshtja, ënd’rra plot.
