Ti puthja e munguar
October 25, 2016
Poezi Dashurie
Erdhe në kohën kur unë s’e prisja
Ecja mendushëm rrugës vetmuar,
Papritmas trokite në shpirtin tim,
Ti puthja e munguar.
Mendoja se nuk do të trokisje,
Ndonëse me sy prush të zjarruar
Trokite pa asnjë ngurim,
Ti puthja e munguar.
Atëherë kur ecja e shkujdesur
Një ditë tetori me shi pa pushuar,
Befas ti më zgjate duart,
Ti puthja e munguar.
Me pasion të madh më vështroje
në sytë e mi ndeze shkëndija
Erdhe si rrezja diellore papërtuar
Ti puthja e munguar.
E hape derën fare pa trokitur,
Më shume flisnin sytë e tu,
Ashtu i heshtur e i përmalluar,
Trokite ti puthja e munguar.
Nuk duhej punë kolosale,
Kur në shpirt flinte një vullkan,
Llava u derdh pa u vonuar,
Erdhe ti puthja e munguar.
Poezi nga: Luljeta Gjosha Pashollari
