UJKU DHE QENGJI
Dhentë në vathë po rrinin,
qentë ndënë hije po flinin,
bariu fyellit i binte,
e gjësendi re më s’vinte.
Ujku erdhi dhe nga vrima
e gardhit, si vetëtima
hyri në vathë laduti,
djalli e pru’ edhe e futi.
Një qengj që ishte i mitur
dhe fare i pastërvitur,
iu qas, nga fjala u zunë,
i tha: – Pse erdhe këtunë?
I tha: – Sheshi i lulëzuar
dhe ky përroi i kulluar
më prunë mua këtunë.
Ta dish fort mirë se unë,
me pak ujë e me dy fletë
rroj e kam rrojtur në jetë…
Qengji i varfër me të qetë
i tha: – Në është kjo e vërtetë
eja këtu, bashkë të rrojmë,
nëpër sheshe të kullosim
e zemrën ta zhbrengosim.
Me të thënë këtë fjalë
dhe nga vatha duke dalë,
qengjin ujku më s’e priti
po e zu e kollofiti!
Qysh mund të mbetet gjallë
ëngjëlli bashkë me djallë?
Botën mos e gjykoni
me fjalët q’u dëgjoni,
mos u shikoni ç’tregojnë,
po vini re ç’gjë punojnë.
Leave a Reply