Meditimi i një muzgu
Frymonte shpirti buzës së detit
Dhe pafjalësia bëhej art,
Nuk vinte më zhurmë e qytetit,
Tashmë çdo gjë u bë e qartë.
Isha larguar nga fryma jote,
Buzës së detit në muzgun gri,
Do t’ jem pjestar i kësaj bote,
Pjestare e saj do t’jesh dhe ti.
Isha larguar nga sytë e tu
Me pafjalësinë në shpirt ngarkuar,
Në muzgun gri e detin blu.
Dua të them, ”isha larguar”.
Tanimë, jam larg prej teje,
Aq sa dhe dielli në perëndim,
Nga ty që endesh nëpër deje,
Nga ty që quaja, gjaku im.
Do t’kem ty breng’ a nostalgji,
Ndoshta ditar mbushur me kujtime,
S’kam frikë si do t’shpëtoj nga ti,
Frikën i’a kam unë vetes sime!
Si të shpëtoj nga ky që jam,
Nga muzgjet mbushur meditime,
Një distancë pa fund na ndan,
Pa fund, sa dashuria ime!
Poezi nga: Bledi Ylli
