Po shfaqesh në qiell
Që në ditën që u shuajte, u bëra me veten i huaj,
Më s’eci rrugicave me kalldrëme të baltosur,
Dritat e qytetthit ndriçojnë një herë në muaj,
Më nuk shoh lypsarë që ngarendin të leckosur.
Ditë zie ende mbaj, kurorë zambakësh të sjelli çdo agim,
S’pyes për veten, në luftë i jam përjetësisht,
Varrin ta stolis bukur, si e dëlirë në amshim,
Krrokamat prishin zhurmën, nga ikja jote, sigurisht.
Po më shfaqesh çdokund; në valë deti po të shoh,
Në fluska dëbore, në xhamat plot avull,
Ngjyrën shëruese të zërit nga larg ta njoh,
Zjarr kam brenda por shpirti më është bërë akull.
Më je bërë dhimbje migjeane që nuk çrrënjoset dot,
Si nishan i egër plage po shfaqesh në qiell,
Sikur s’ke ekzistuar kurrë; pardje, dje as sot,
Errësirë mesjetare që nuk shkrihet dot as me Diell.
#E
