Tag Archives: poezi per ndarje
Shpirti i bukur
Më vjen të nxjerr ty nga çdo varg.
Të lë diku, nepër kujtime.
Por ti ndriçon me shumë nga larg.
Bëhesh diell për muzën time!
Më vjen të gris ty nga çdo letër
Ku je në prozë, a poezi,
Dua të bëj të jesh një tjetër.
E çuditërisht mbetesh po Ti!
Përse më shkrove sërish letër
Përse më shkrove sërish letër, kur koha jonë flinte në hi?
E di ç’më bëre? Më ke ndezur, për më të shuar përgjithnji.
E mbaj në duar, më djeg dorën, e hedh matanë, shpirtin më djeg,
në zjarrin që më ke dërguar, më thuaj ku ta gjej një shteg?
Përse s’më le në punën time, të flija lirshëm në harresë?
Ç’t’u desh t’i dilje kohës kundër, të fshije pluhur në kujtesë?
Nëse tek ti lashë disa borxhe, mos mi përmend, të lutem, kot,
më thuaj, pra, kush dashurisë iu dha dhe nuk i mbeti borxh?
Përse më shkrove sërish letër, kur koha jonë flinte në hi?
E di ç’më bëre? Më ke ndezur, për të më shuar përgjithnji.
Poezi nga: Iliaz Bombaj
Dhemb dashuria
Dhëmb, të presësh shiun në shkretëtirë
E buzët e thara dhëmbin për një puthje.
Në ato buzë-mbrëmje ku shpirti është i ngrirë
Dhëmb, kur dëshirat me kohën bëhen lutje.
Dhëmb, të heshtësh në pritjen e pafund
Në pritjen e asgjëje mes mallit përvëluar.
Aty ku shpirt-dëshira bëhet tërmet e tund
Ku dashuron ikona nga koha tjetërsuar!
