Tag Archives: poezi per gurbetin
Kurbeti
Mitrua, kur u martua
ndënji një muaj me grua!
Erdhi dita për të ndarë
dhe u ndanë duke qarë!
Gruaja qënkej me barrë
dhe kur polli, bëri djalë.
Po Mitrua ku ish vallë?
Motëmot që qe larguar,
një kartë s’i kish dërguar!
Ku t’i shkruaj mëm’ e mjerë
për djalënë që kish lerë?
Tri vjet, katër, dhjetë shkuan!
Mitrua harroi gruan!
E varfëra se ç’pësoi,
të ritë vetëm e shkoi.
Ç’e deshi të tillë burrë,
që s’e pati pranë kurrë!
Gjith’ bota ven’ e vinë,
Mitrua harroi shtëpinë,
nuk e di që ka dhe djalë!
Rron a ka vdekur vallë?
Këto thosh grua e mjerë,
po burrit i mbajti nderë.
E zeza grua se ç’hoqi!
Humbi shpresën tek i shoqi:
kur pa ngrën’ e kur pa pirë,
punoi e rriti të birë.
