Tag Archives: poezi nga dritero agolli
Mjegulli I Dashurise
Kur ikja larg, drejt teje vija
Kur vija afër, ikja larg
Për dreq më trembte largësia
Dhe afërsia bëhej çark.
As e kuptoja si të desha
Një mjegull pus, një çmenduri
Si një poet që shkruan vjersha
Dhe ndez një shkrepse, i bën hi.
Dhe ndoshta kjo ish dashuria
E çakërdisur kuturu,
Për dreq më trembte largësia
Dhe afërsia gjithashtu.
Letrat
Kur dashuroheshim në kohën tonë,
Kur tretesha dhe digjesha për ty,
Nga njeri-tjetri letrat vinin vonë,
Kalonte dhe një muaj apo dy.
Po ndofta dashuria mbahej gjallë,
Se zjarrin mbanin letrat në udhëtim
Me bicikletë a mushkë apo me kalë
Në vapë e shi, dëborë dhe thellim.
