Tag Archives: letersia moderne shqiptare
Mall
Ca pika shiu ranë mbi qelq.
Për ty unë befas ndjeva mall.
Jetojmë të dy në një qytet,
Dhe rrallë shihemi sa rrallë.
Edhe m’u duk pak e çuditshme
Si erdh kjo vjeshtë, ky mëngjes.
Qiejt e ngrysur pa lejlekë
Dhe shirat pa ylber në mes.
Në një qoshe të keqe
U deshëm vërtet në një qoshe të keqe,
Një vend aspak për dashurinë,
Zgërbonja, gjemba, gropa dhe hendeqe,
Ombrella të zeza galash mbi greminë.
Kur dashurinë atje asgjë nuk e joshte,
Çuditërisht e joshëm tok dhe e gjetëm.
Tek dashuronim ëngjëlli thoshte:
“Duroni dhe pak të ngjitni të përpjetën”.
Vërtet ish e keqe kjo qoshe.
D.Agolli
