Thjesht e imja
Nuk e di në të harrova
A të humba pakuptuar,
Them se po, të dashurova
Të dashuroj edhe harruar!
Ti je mbresa më e bukur
Që durove në stuhi,
Nëse sonte je e zhdukur
Të sjell era përsëri.
Të sjell’ nata të sjell’ shiu,
Dhe mëngjesi ty te sjellë,
Ajo lule dikur mbiu
U bë pemë me rrënjët thellë.
Edhe sonte e harruar
Diku aty në një sirtar,
Një deshirë për të kerkuar
Gjeti flok’t e tu, gjithë ar.
Gjeti sytë e Prometheut
Mes një zjarri plotë ndriçim,
Bukuri… E buk’re e dheut
Je bërë një me trupin tim!
Nuk e di në të harrova,
As nuk di, ku je tani,
Por në zemër kur kërkova,
Ish’ e mbushur vec nga Ti!
Poezi nga: Bledi Ylli
