Fillimi » Lasgush Poradeci » TI PO VJEN QË PREJ SË LARGU

TI PO VJEN QË PREJ SË LARGU

Ti po vjen që prej së largu magji-plotë e dal-ngadal.
Ti po vjen që prej së largu dyke shkitur mbi lendina.
Nënë thëmbërzat e tua përgëzohet trendelina,
Shtrihet luleja mitare e zembakut qe t’ u fal.

E si shkon me hap te matur, më pushton një dhëmshuri:
Do të tretem të kullohem në kalim të këmbes s’ ate,
T’ i pushtoi i llaftaruar ato hapëza mëkate
Ndaj kalon mbi tufë lulesh madhërisht si yll i ri.

Dhe të qaj me mall të rëndë poshtë teje pa pushim,
Poshtë fillit të poleskës ku do shkeli kamba jote.
Të të shtroj nga dhëmbja ime një cudi prej pikash lote,
Një pluhurë të përvajshme vetëm dhëmbj’ e dëshirim.

Të m’ a shkelish hije- letë ! të m’ a shkelish mes për mes !
Të të shoh si më lekundesh me sy fjetur e fatuar,
Brënda lotëve të mija të të shoh të pasqyruar,
E pastaj le të venitem, le të hesht e le të vdes.


Emaili juaj nuk do të publikohet, por është i domosdoshëm për tu shënuar. Fushat e domosdoshme janë shënuar me *.