Fillimi » Ismail Kadare » Mall

Mall

Ca pika shiu ranë mbi qelq.
Për ty unë befas ndjeva mall.
Jetojmë të dy në një qytet,
Dhe rrallë shihemi sa rrallë.

Edhe m’u duk pak e çuditshme
Si erdh kjo vjeshtë, ky mëngjes.
Qiejt e ngrysur pa lejlekë
Dhe shirat pa ylber në mes.

Dhe thënia e vjetër e Heraklitit
Seç m’u kujtua sot për dreq:
“Të zgjuarit janë bashkë në botë,
Kurse të fjeturit janë veç”.

Në ç’ënderr kemi rënë kaq keq,
Që dot s’po zgjohemi vallë?…
Ca pika shiu ranë mbi qelq
Dhe unë për ty seç ndjeva mall

——————————————–
Poezia “Mall” është, pas shumë gjasash, i vetmi rast në krijimtarinë e Kadaresë ku shiu nuk është përdorur si simbol i grisë, por është përftuar në ndërgjegjen kritike të kohës thjesht si shi, i padyshimtë, produkt i natyrës së madhe, fenomen i zakonshëm në botën tonë që quhet tokë, madje, në të kundërtën, jo si shenjë errësire, por si simbol bardhësie, gjë e habitshme kjo për faktin e thjeshtë që tashmë ai përbënte një figurë të paragjykuar.

Malli, kjo dhunti përjashtimore e njeriut qysh prej kohëve më të lashta, është i pranishëm në tërë veprën e Kadaresë. Kadare zbuloi mungesën dhe mungesa vetvetiu lind mallin. Ai përjetoi mungesën e atdheut, të qytetit të lindjes, të bisedës së plakave katënxhika në oda me dylbi në duar, të miqve dhe njerëzve të dashur. Ishte malli për gjërat e munguara që e ktheu shkrimtarin e madh nga rruga e kotësisë në atë të krijimit.

Fenomeni i mungesës e ka tërhequr Kadarenë që në fillimet e kriiimtarisë. Këtë ai e pohoi edhe shprehimisht me largimin nga atdheu.

Poezia “Mall” është, si duket, shprehja më e përkryer e këtij fenomeni. Ndoshta pse malli i saj vinte nga një mungesë jo e largët, përkundrazi, nga një mungesë që të bën të çuditesh. “jetojmë të dy në një qytet dhe rrallë shihemi, sa rrallë!’

E prandaj ai mall kryeneç lind këtë poezi të bukur, intime.
———————————————————


Post a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

list of car brands