Ti dhe Uji
Diellin ta shikosh nga hija e plepit
Dhe ta matësh
Kur hijen tënde s’mund ta kapërcesh më
Qenit ruaju se të kafshon ajo kafshë shtëpiake
Besnik i madh i Njeriut
Nga kafshimi i gjarprit mund të shpëtosh
Macen nxirre nga fjalori yt gjithsesi
Ajo s’është simbol i kohës sate as i artit tënd
(Unë gjthmonë ia kam frikën edhe Lules edhe
Femrës)
Kur të flasësh fol të dëgjohesh në bjeshkë
të dëgjohesh në shkretëtirë
Për të dytën herë mbetesh pa kokë ose kush
nuk të beson:
Sa më pak shikoje veten në pasqyrë
Dhe kurrë mos mendo: I pari
Ai që ka ekzistuar para teje jam UNË
Ai që do të kujdeset për ditët e mia të mbrama
Për ëndrrat e mia e qetësinë je Ti
Me pleh kurrë mos u pajto: Nxirre në gjysmë
të natës
në pikë të vapës
Asgjë mos rrit asgjë mos krijo me dhunë
Rast i humbur nuk je edhe pse pylli
dendësohet
Mund ta kalosh natën në Kullën time të vetmuar
në botë
Dhe si të duash Ti Lumi
Kryesorja: jetën ta jetosh pa e vrarë
Dhe pa të mbetur në këmbë ndonjë therrë
e saj e zezë
Bashkudhëtari im
Ta provojmë vetveten derisa kemi frymë.
———————————————-
Kjo poezi është nga perlat e krijimtarisë poetike të Ali Podrimjës madje dhe në poezinë shqiptare. Ajo i përket vëllimit Lum Lumi botuar më 1982, dhe i kushtohet djalit të poetit, Lumit, tashmë të pajetë. Ndërsa poezia mban datën e krijimit në vitin 1979, kur Lumi ishte ende gjallë, por shumë i sëmurë. S’ka asgjë vajtuese, asnjë ankesë, asnjë mallkim në këtë poezi, përkundrazi poeti krijon atmosfere mjaft poetike, duke e pozicionuar veten në vend të prindit, i cili as që mund ta shkojë nëpër mend vdekjen e fëmijës së vet, pasi kjo është kundër vetë ligjeve të natyrës. Ajo që është më e dhimbshme se vetë dhimbja në këtë poezi shfaqet në formën e këshillave të babait ndaj birit, sikur ai ka këtë jetë të gjatë përpara. Porositë, siç mund të shihet shtrihen në një rrafsh të gjerë të ekzistencës, e sidomos në planin e formimit etik dhe kombëtar të personalitetit. Cili duhet të jetë ideali, synimi kryesor i Lumit, Çfarë duhet të dojë dhe Çfarë të urrejë në jetë, prej kujt duhet të mbrohet dhe për kë duhet të kujdeset. Këto amanete të nxjerra nga përvoja shekullore e trollit, e Kullës tingëllojnë të përhershme e të çdokohshme. Ato përhapen si jehonë e hapësirës etnike dhe njerëzore njëkohësisht. Ai që ka ekzistuar para teje jam unë. Dhe në këtë përhershmëri vdekja bëhet e papërfillshme.
———————————————————-
Leave a Reply